PriBank i bashkohet Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK)


Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK), nënshkruan marrëveshjen e garancisë me PriBank. Kjo ngjarje shënon zgjerimin e marrëveshjeve që FKGK realizon me Institucionet Financiare. Gjithashtu, me anë të kësaj marrëveshjeje, FKGK do të mbulojë deri në 50% të rrezikut të kredive për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme,  gjë që do ti mundësojë PriBank të zgjerojë kredidhënien për bizneset kosovare.

Drejtori Ekzekutiv i PriBank z. Fatos Krasniqi me këtë rast theksoi:

“Me shumë kënaqësi ju njoftojmë se PriBank i bashkohet Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK). Bashkëpunimi me FKGK-në do t’i mundësojë PriBank-ës që të ofrojë kredi të sigurta dhe të përballueshme për bizneset, duke kontribuar në rritjen e qasjes në financa dhe përmirësimin e kushteve të financimit në vendin tonë. Si pjesë e FKGK-së na jipet mundësia që të zgjerojmë mundësinë e shërbimeve dhe t’a forcojmë pozicionin tonë si bankë e besueshme në tregun financiar. Ky hap do të na lejojë të rrisim mbështetjen për ndërmarrjet mikro, ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, si dhe të inkurajojmë zhvillimin e iniciativave të reja dhe të qëndrueshme në ekonomi. Së bashku, ne do të ndërtojmë një të ardhme më të sigurtë financiare”.

Drejtori menaxhues i FKGK-së z. Besnik Berisha me këtë rast theksoi:

“Jemi të lumtur që sot nënshkruajmë marrëveshjen e garancisë edhe me një bankë të Kosovës. Kjo marrëveshje me PriBank do të mundësojë zgjerimin e kredidhënies për ndërmarrjet mikro të vogla dhe të mesme. Gjithashtu, marrëveshja e sotme, do të shërbej në arritjen e qëllimit dhe përmbushjen e misionit të institucionit tonë e që është krijimi i vendeve të reja të punës, rritja e prodhimit vendor dhe fuqizimi i shërbimeve që shtojnë vlerë në rritjen ekonomike”.